| Të nderuar
bashkatdhetarë,
Me rastin e kësaj feste të bukur e simbolike që
komuniteti shqiptar i Marylandit (Merilendit) po zhvillon
sot, ju përshëndes dhe ju përgëzoj për
këtë nismë me vlera në ruajtjen e gjuhës
e të kulturës së popullit tonë.
Në radhë të parë, përgëzoj
dhe falënderoj Akademinë Shqiptaro-Amerikane për
gjithë aktivitetin e saj. Festa e Abetares është
një tregues sinjifikativ i një nisme që ndihmon
komunitetin shqiptar në Amerikë, një komunitet
me traditë të gjatë, të ruajë e të
kultivojë gjuhën amtare dhe kulturën kombëtare.
Abetaret që ju keni sot në dorë, janë
një simbolikë e angazhimit tonë për t’ju
ndihmuar e përkrahur, në ruajtjen dhe kultivimin
e gjuhës amtare dhe kulturës kombëtare. Unë,
në një festë të tillë, do t’ju
uroja suksese edhe në nisma të tjera të ngjashme.
Emigrantët shqiptarë, kudo në botë, kanë
nevojë shpirtërore të ushqehen me gjuhën,
kulturën dhe traditat e kombit të tyre, në
mënyrë që jo vetëm brezi i parë i
ngulur e i përqendruar në një rajon kudoqoftë,
por edhe brezi i ri, të mund të mbajë të
gjallë krenarinë e të qenit shqiptar, duke
ruajtur tiparet themelore kombëtare.
Qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare
për Migracionin dhe Planin Kombëtar të Veprimit
për Migracionin. Unë shpresoj se, me realizimi i
këtij Plani Veprimi, i cili përmban aktivitete për
arsimimin e nxënësve në diasporë dhe një
koordinim midis Ministrisë sonë të Arsimit
dhe Shkencës, Ministrisë së Jashtme dhe ministrive
të tjera, do të rritet efikasiteti në drejtim
të qëllimit tonë të përbashkët.
Në pamundësi për t’u kapur dorë
për dore me ata vogëlushë që, përmes
abetares mësuan shkrim e lexim shqip, jetoj me atmosferën
festive që zotëron në mjedisin ku jeni mbledhur
sot, duke i uruar vogëlushët për suksese të
mëtejshme që të rriten e të bëhen
të zot e të vlefshëm për veten, për
prindërit e tyre dhe për kombin tonë.
Duke shpresuar që numri i nxënësve vitin e
ardhshëm do të jetë dyfishuar dhe duke ju garantuar
që mbështetja jonë do të jetë e vazhdueshme,
i uroj dhe një herë suksese Akademisë Shqiptaro-Amerikane
në misionin e saj fisnik.
GENC POLLO
MINISTER I ARSIMIT DHE I SHKENCES |